Secondary Adv

Braktisen minierat, Ministria e Energjisë revokon 11 leje në fund të shtatorit

Ministria e Infrastrukturës ka nisur revokimin e 11 lejeve minerare më 29 shtator, duke e çuar numrin total këtë vit në 26.

Arsyet kryesore: miniera të braktisura dhe mosrealizim investimesh

Sipas njoftimeve zyrtare, arsyeja dominuese për revokimin e lejeve është mosushtrimi i aktivitetit minerar për më shumë se një vit. Subjektet që zotërojnë këto leje nuk kanë kryer asnjë aktivitet nxjerrës apo përpunues në miniera për periudha të gjata, duke shkelur kushtet e kontratës.

 

Në disa raste të tjera, revokimet janë bërë për shkak të moszbatimit të planeve të investimeve që kompanitë kishin deklaruar gjatë aplikimit për leje. Minierat që preken ndodhen në zona si Bulqizë, Kukës, Librazhd, Lezhë dhe Përrenjas.

 

Revokime edhe për shkelje financiare dhe deklarime të pasakta

Më herët gjatë vitit, MIE ka revokuar disa leje për shkak të mospagimit të garancisë financiare për rehabilitimin e mjedisit, një detyrim ligjor që kompanitë duhet ta kryejnë çdo vit për rikthimin e terrenit pas shfrytëzimit minerar. Në disa raste, janë konstatuar edhe deklarime të pasakta pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, të cilat nuk përputheshin me situatën reale në terren.

 

Tkurrje e aktivitetit minerar

Gjatë vitit 2024, Ministria kishte revokuar 19 leje për arsye të ngjashme, duke treguar një trend të qartë tkurrjeje të sektorit minerar. Ekspertët e fushës paralajmërojnë se mbyllja e një numri të madh minierash mund të ndikojë në punësim dhe në të ardhurat e pushtetit vendor, sidomos në zonat që varen nga industria nxjerrëse.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat